Jakup Krasniqi: Protesta e Vetëvendosjes, jo e dështuar, mirë që ndaloi


“Protestën e djeshme nuk do ta quaja të dështuar, por më vjen mirë që organizatorët vendosën që ta ndërpresin ate pasi që mocioni i miratuar në Kuvend, e obligon qeverinë që të zbatojë reciprocitetin”, ka thënë sot kryeparlamentari Jakup Krasniqi, pas takimit të Kryesisë së Kuvendit. Ndërkohë që shefat e grupeve parlamentare, të LDK-së dhe AAK-së, theksuan se “rruga nuk është zgjidhje e problemeve”.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasnici ka vlerësuar vendimin e lëvizjes ‘Vetëvendosje’ që të ndërresë vazhdimin e protestave në vendkalimet kufitare Merdare dhe te Dheu i Bardhë. Pas takimit të kryesisë së Kuvendit, kryeparlamentari Krasniqi tha se protesta e djeshme nuk ka qenë e dështuar, por ndihet i kënaqur me vendimin e ‘Vetëvendosjes’ për ndërprerjen e protestës.

“Protestën e djeshme nuk do ta quaja të dështuar, por më vjen mirë që organizatorët kanë vendosur që ta ndërprejnë për të mos vazhduar, pasi që mocioni i miratuar në Kuvend e obligon qeverinë që të zbatojë reciprocitetin”, theksoi Krasniqi.
Nga ana tjetër shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ismet Beqiri nuk ka dashur të jap ndonjë vlerësim se ishte apo jo e drejtë protesta e Vetëvendosjes, por ka thënë se zgjidhjet duhet të kërkohen brenda institucioneve.

“Sigurisht ne e kemi thënë se e drejt demokratike është protesta, por e kemi thënë edhe si Lidhje Demokratike për ne zgjidhjet e vetme janë brenda institucioneve, janë zgjidhjet institucionale dhe kjo mundësi ekziston. Disa herë e kemi thënë dhe asnjëherë nuk është e mjaftueshme me përsërit që sado që kjo Qeveri nuk po e bënë punën siç duhet, që ka shumë lëshime, shumë papërgjegjësi, megjithatë është Qeveri dhe përderisa qytetarët me votë nuk e qojnë në shtëpi mendoj që këta duhet kryer punën sikundër edhe institucionet e tjera që është edhe Kuvendi si organi më i lartë ligjvënës”, theksoi ai.

Edhe shefi i Grupit Parlamentar i AAK-së, Ardian Gjini, theksoi se rruga nuk i zgjidh problemet në Kosovë.
Protestat qoftë ato të një partie politike apo popullore, aq me tepër të një partie politike mund të jenë një mjet pune për ta ndryshuar pushtetin e keq, i cili ekziston në Kosovë, por nuk janë alternativë në vetvete. Do të thotë për popullin e Kosovës, protestat, bllokimi i rrugëve nuk janë alternativë, ato mund të jenë një mjet për të ardhur në pushtet, për partitë politike mund të jenë një mjet për të ushtruar presion. Mirëpo. Kosovës i duhet një alternativë politike, evropiane, demokratike, e cila do ta ndryshojë pushtetin aktual në Kosovë, i cili është skajshëm abuzues qoftë me paranë publike, qoftë me ndjenjat e njerëzve, dhe liritë e tyre në Kosovë”, ka thënë Gjini.

Kreu i Kuvendit ka folur edhe për barrikadat ne veri, duke thënë se nuk janë harruar, dhe sipas tij qeveria po e bënë punën e vet në këtë drejtim.

Shkruaj nje koment

Seo