Ky është Rama që na duhet


Shkruar nga Portali Ballshi.com

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, është gjykuar e stërgjykuar nga të gjitha shtresat, i majtë dhe i djathtë, ekspert dhe jo ekspert, analist dhe ç’analistë, me miqësi apo me armiqësi, deri dhe në dashakeqësi. Deri këtu gjithçka është mëse normale, për aq sa përjashtohen vetëm fyerjet e kryeministrit nga familja. Sepse edhe lideri i opozitës ka të metat e tij, në punë dhe jashtë saj, për më tepër që është i shigjetuar.

Por ajo që të bën përshtypje është nihilizmi i të djathtëve dhe shpurës së tyre për të baltosur sa më shumë dhe sa më thellë kreun e PS-së. Sikur të na kujtonte ato filmat uestern në Hollivudin e largët, “Për një grusht dollarë”, “Më mirë një mik se një thesar”, apo “Të gjithë fajin e ka paraja”. Dhe përgjatë kësaj vorbulle berishiane sillet vetë ai, maestro i magjisë politike, Berisha. Për 6 vjet opozitë, fajet i pati Rama, edhe kur e sulmonte Blushi, edhe kur e sulmonte vetë doktori. Edhe kur e sulmonte LMN, edhe kur ai heshtte. Nëse popullin e sotëm do e pyesje për gjërat që ndodhnin dy vite më parë, do të ishte shumë e vështirë të brumosje në psikozën e tyre se fajin e ka opozita. Le të kuptojmë rraskapitjen e kryeministrit tonë 67 vjeçar, që i duhet të bredhë fshat më fshat e qytet më qytet, për të bindur zonat rurale apo urbane, se Rama ka faj. Po ai ?. Atë nuk mund ta pyesë askush, nuk guxon kush, sepse të gjithë vetëcensurohen, ose i censurojnë.

Në këmbim të rrogës, zarfit, ryshfetit dhe shitjes së profesionit. Le të marrim disa botues. A do i gëzonin benefitet që kanë nëse nuk do mbështesnin më 21 janar Berishën dhe më 8 maj Bashën ?. Përgjigjen mund ta dimë të gjithë, por ja që ndryshe e mendojnë ata. Mendoni një Berishë që nuk mban asnjë lloj përgjegjësie dhe që kërkon që rivali i tij t’i mbajë të tëra fajet !. A nuk është një situatë vetëvrasëse për kolegët tanë, gazetarë, ekspertë, ekonomistë, analistë e politikanë. Ajo që të çudit është se si kjo kategori, sado për përfitime paraje e benefitesh, ofiqesh e të mirash të tjera materiale, nuk e kupton se nesër do të vlejnë sa një letër higjenike. Madje e kanë ndjerë se vlejnë jo më shumë se aq, por pranojnë se vorbulla ku janë përfshirë ka qenë si puna e sirrës së arixhofkës. Asnjë prej tyre, ose nuk do, ose nuk mundet të shpjegojë, përse deri dje Nano ishte i keq, dhe sot është i mirë ?. Përse Berisha ishte i keq dhe u bë i mirë ?. Po nëse nuk do të gëzonin besimin e oborrit, çfarë do të na tregonin ?. Dhe në të gjithë këtë situatë, çdo qytetar kupton më së miri, se lideri i opozitës i ka duruar të gjitha. Si përgjigje paralajmëroi kthim kursi dhe kurban. Mazhoranca e talli pasi i grabiti mandatin e Tiranës, kurse tani fytyrat e tyre nxijnë prej vrerit, sepse nuk do e dëshironin kurrë këtë situatë ku gjenden. Madje më mirë t’i kishin dhënë dy bashki Tirane !.

Dhe këtu i solli pikërisht ai njeri, Edi Rama. Inati i tyre tashmë është i justifikuar. Le ta mendojmë pak. Me Edin kryetar të PS-së, Berisha u zhyt në Gërdec, në babëzinë e Durrës-Kukës, në etje pushteti me 4 protestues të vrarë dhe në grabitje mandati. Doktori mendonte si ai “çunak” nuk mund ta pengonte. Fal Ramës ne mësuam se kush ishte Berisha i vërtetë. Nëse Rama do i përgjigjej me dhunë, do të binte në kategorinë e rivalit, që për disa herë precedentë historik në politikën shqiptare, e ka futur vendin deri në ndasi krahinash e luftë civile. Fal Ramës, edhe një palo-burrë si Lulzim Basha, nga buzëqeshja e sinqertë, kaloi të qeshja e hidhur. I doli fytyra pas maskës që mbante dhe tani nuk po di se ku të futet. Me Edi Ramën ndërkombëtarët kuptuan, se kur ky njeri dy metra i gjatë flet për vjedhje votash, nuk gënjen. Jo se do të vij në pushtet, por se kjo padrejtësi duhet të marrë fund. Nëse do i pyesje dy vjet para ndërkombëtarët, do vinin dorën në zjarr për anti-komunistin Berisha. Le ta vënë tani atë dorë në zjarr.

Dhe këtu PS-në nuk e solli sjellja e Ben Blushit, që i dha fitoren Berishës, si numri dy i partisë, kur zgjedhjet e 2009 nuk kishin mbaruar ende dhe kur pritej me ankth një vendim Kolegji. Nëse Blushi do ishte treguar i përgjegjshëm, edhe ai Kolegj i anatemuar keq sot, nuk do degradohej në këtë shkallë. Duket se Rama di të fal, por di dhe të të peshojë në kandar.

Turma e analistëve i kërkonte programin në 2009 dhe kur Rama u thoshte ja tek e keni është 1000 faqe, ata dredhonin duke u marrë me të tjera pyetje e detaje. Kur humbi, i thanë se nuk kishte program, nuk kishte strategji dhe të tjera si këto. Fal Ramës ja tek e kemi Ilir Metën. Nga lider i ekuilibrit politik, i pavdekshëm për depërtimin perëndimor dhe mbijetesën e një partie, është katandisur në një politikan që bredh gjyqeve për të pastruar figurën e tij nga vjedhja për të cilën akuzohet. Dhe sa përpiqet të heq një njollë të madhe, i del një tjetër diku në SHBA, apo Itali. Një kosto që po i shkatërron karrierën dhe që vështirë se do e riciklojë më në politikën shqiptare. Sigurisht që fajin e ka Edi Rama, sepse ashtu siç flitet, e ndihmoi si një mik të vjetër të merrte mandatin e deputetit, dhe ky miku nga Çepani i Skraparit, e derdhi kupën e mbushur duke i vënë shkelmin. Mori vota për të rëzuar Berishën dhe shkoi te gjiri i doktorit.

Sot Edi Rama na u shfaq me një program. Asnjëherë më parë nuk e kishim parë dhe dëgjuar kaq qartë dhe prerë. Me vendosmëri dhe këmbëngulje. Tamam me kostumin e politikanit. Po, tani duhet ta besojmë. Ky kurs nuk është i ri. Eshtë kursi që Edi Rama nisi më 2005, po për të cilin askush nuk e besoi. Thjesht këtë kurs ia ngriti në piedestal Berisha me sjelljen e tij prej prepotenti dhe krimineli, teksa qytetarëve u hapen sytë. Ky është Edi Rama i vërtetë. Të paktën nëse do të vazhdojë me këtë kurs…

Shkruaj nje koment

Seo