Topi,Topallit: Mëso të flasësh shqip! Krye parlamentarja: Haxhi Qamili s’më kupton dot!
Kreu i shtetit Bamir Topi ka shfrytëzuar një vizitë në qytetin e Shkodrës për të replikuar me kryeparlamentaren Jozefina Topalli. Sipas Presidentit ligjet duhet të mos shihen si beteja politike, pasi të gjitha betejat juridike janë fituar nga Presidenca. Topi ka reaguar edhe për deklaratat e kryeparlamentares Jozefina Topalli e cila në një intervistë për Radio Evropa e Lira tha se presidenti luan në fushën e majtë. Topi e këshilloi kryeparlamentaren që të mësojë të flasë siç duhet gjuhën shqipe.
“Së pari, këto zonja apo zotërinj duhet të mësojnë aktin e komunikimit. Të dinë të komunikojnë në mënyrë etike, pasi komunikojnë me institucionin e Presidencës. Nëse do dalim me ndonjë plan tjetër, spikeri ose spikerja i merr tekstet nga të tjerët, cështja është sa në mënyrë cilësore e lexon atë. I ftoj të tregohen qytetarë dhe të flasin gjuhën shqipe në mënyrë korrekte”, është përgjigjur Topi.
“Zotërinjtë duhet të dinë të komunikojnë në një shtet demokratik, ku pushtetet janë të ndara sipas Kushtetutës. Unë gjej rastin të rishpreh sërish vullnetin që kam shprehur përmes dekretit tim. Të gjitha betejat e karakterit juridik që janë zhvilluar konsiderohen të fituara nga Presidenca. Mjafton cështja e pronave, të cilës Gjykata Kushtetuese i shkoi sipas së drejtës së vendimmarrjes së presidentit për ta kthyer. U them këtyre zotërinjve që të mos i politizojnë gjërat”, ka deklaruar Topi.
I menjëhershëm ishte reagimi i Topallit e cila shpërndau një njoftim zyrtar ku thuhej se “Jozefina Topalli flet me krenari dhe vetëdije shqipen më të bukur, atë me të cilën foli Gjergj Fishta, Kol Idromeno, Fadil Kraja, Migjeni, Luigj Gurakuqi! Atë gjuhë, Haxhi Qamili nuk e kupton dot!!!”.

Postoje ne Facebook
Tweet This
Digg This
Save to delicious
Stumble it
Abonohu




